Tre shtetas të Maqedonisë kanë humbur jetën, ndërsa dy persona të tjerë janë lënduar në një aksident të rëndë trafiku në autostradën bregdetare në Slloveni, në segmentin mes Unecit dhe Ravbarkomandës, në drejtim të Koperit.
Sipas informacioneve të para të policisë sllovene, në aksident janë përfshirë një kamion dhe një automjet. Kamioni kishte ndaluar në një zgjerim anësor të autostradës për shkak të një defekti, kur automjeti është përplasur me pjesën e pasme të majtë të rimorkios.
Në veturë ndodheshin pesë persona, të gjithë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Mjeku në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tre personave. Njëri nga të lënduarit është transportuar me helikopter në spital, ndërsa shoferi i automjetit, i cili gjithashtu ka pësuar lëndime, është dërguar në spital me autoambulancë.
Aksidenti është raportuar në orën 16:28, pas së cilës në vendngjarje janë dërguar menjëherë disa patrulla policore dhe zjarrfikës. Në vend kanë qenë edhe prokurori publik dhe gjyqtari hetues. Policia ka bërë të ditur se më shumë detaje për shkaqet dhe rrethanat e aksidentit do të publikohen pas përfundimit të veprimeve fillestare hetimore.
Për shkak të aksidentit, autostrada në drejtim të Koperit është mbyllur dhe janë krijuar kolona të gjata. Automjetet e rënda janë devijuar në Logatec, ndërsa policia ka paralajmëruar shoferët që të mos dalin nga automjetet derisa ndodhen në kolonë, pasi kjo mund të jetë e rrezikshme.
Për një kohë të shkurtër është mbyllur edhe drejtimi i kundërt, në drejtim të Ljubljanës, për shkak të uljes së helikopterit mjekësor. Trafiku në këtë drejtim ndërkohë është normalizuar.

