Partia Levica ka reaguar ndaj zv/kryetarit të Komunës së Tetovës, Albi Qamili, njëherësh kryetar i Komisionit për riemërimin e rrugëve, lidhur me procesin e ndryshimit të emrave të 290 rrugëve në Tetovë.
Në komunikatën e saj, Levica pretendon se Qamili është me në votat e tre këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së do të siguroj shumicën e Badenterit dhe për të realizuar ndryshimin e emrave të rrugëve.
Sipas partisë, ky proces synon të largojë emra që lidhen me historinë antifashiste dhe trashëgiminë maqedonase në Tetovë. Ndër emrat që, sipas Levicës, janë në listën e ndryshimeve përmenden bulevardi dhe sheshi “Marshall Tito”, rruga “JNA”, rruga “29 Nëntori”, si dhe emri historik “Bitola”, për të cilin pretendojnë se propozohet zëvendësimi me “Manastirska”.
Nga Levica gjithashtu kundërshtojnë vendosjen e emrave të personaliteteve Fadil Sulejmani, Xhafer Sulejmani dhe Sherif Kavazi, duke pretenduar se bëhet fjalë për figura kontroverse.
Partia akuzon koalicionin VLEN dhe VMRO-DPMNE për bashkëpunim në këtë proces dhe e cilëson atë si përpjekje për ndryshimin e trashëgimisë historike të qytetit.
Në reagim, Levica përmend edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të vitit 2007 për emrat e rrugëve, duke pretenduar se pushteti aktual po përpiqet ta realizojë të njëjtin proces përmes një rruge tjetër.
“Ne nuk do të jemi bashkëpunëtorë në pazaret tuaja të pista koalicioniste. Emrat e atyre që e çliruan Tetovën nga fashizmi janë të gdhendur në themelet e këtij qyteti dhe asnjë koalicion i VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it nuk do të mund t’i fshijë”, thuhet në reagimin e Levicës.
Partia njofton se përfaqësuesi i saj është larguar nga grupi punues për këtë proces, duke e cilësuar këtë si qëndrim kundër ndryshimeve të propozuara.

