Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Kërvasari të Malishevës, ku 25-vjeçarja Jetlira Foniqi ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit, ndërsa bashkëshorti i saj, 26-vjeçari siç ka mësuar Insajderi, Egzon Bytyqi, është i plagosur rëndë dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gazeta Insajder ka mësuar detaje të reja për rrethanat e ngjarjes, ndërsa sipas burimeve të Insajderit, dyshohet se pikërisht Egzon Bytyqi është i përfshirë në rastin e rëndë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Insajderi, Bytyqi dyshohet se e ka përdorur armën e babait të tij, të cilën e kishte me leje.
Ngjarja ka ndodhur në dhomën e gjumit të çiftit, ku sipas të dhënave të para janë gjetur të plagosur të dy bashkëshortët. Ata fillimisht janë trajtuar në Malishevë, ndërsa më pas janë dërguar në QKUK në Prishtinë.
Jetlira nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Rreth orës 01:10, Emergjenca e QKUK-së ka njoftuar për vdekjen e saj.
Në anën tjetër, Egzon Bytyqi vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai ndodhet në repartin e Intensivës në QKUK, ku po merr trajtim mjekësor.
Sipas burimeve të Insajderit, Egzoni kishte punuar për rreth shtatë vjet në Gjermani dhe ishte kthyer në Kosovë rreth një muaj para ngjarjes.
Burimet kanë pretenduar se ai kishte pasur probleme shëndetësore, përfshirë edhe probleme të shëndetit mendor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës, ndërsa rastin po e heton Prokuroria.
Në vendngjarje ka dalë edhe prokurori i shtetit për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve hetimore për të sqaruar plotësisht se çfarë ka ndodhur brenda shtëpisë së çiftit.

