Mijëra udhëtarë, mes tyre shumë familje me fëmijë, kanë mbetur mbrëmë në një kolonë të gjatë prej më shumë se 15 kilometrash në pikën kufitare Tabanoc, në dalje nga Maqedonia e Veriut drejt Serbisë.
Qarkullimi është zhvilluar jashtëzakonisht ngadalë, ndërsa udhëtarët kanë raportuar se në disa pjesë automjetet kanë qëndruar të bllokuara për më shumë se 20 minuta.
Sipas raportimeve, shkak i vonesave është bërë fillimi i zbatimit të sistemit “Qyteti i Sigurt” (Safe City) për automjetet e huaja, i cili mundëson evidentimin automatik të kundërvajtjeve dhe gjobave në komunikacion.
Sistemi ka nisur të zbatohet edhe për automjetet e huaja që dalin nga vendi, ndërsa në kufi janë krijuar vonesa gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave. Kjo ka shkaktuar ngushtime në pikat e kontrollit dhe ka ngadalësuar ndjeshëm qarkullimin.
Në rrjetet sociale janë publikuar video dhe fotografi ku shihen radhë të gjata automjetesh në pritje për të kaluar kufirin. Udhëtarët e revoltuar u kanë bërë thirrje atyre që planifikojnë të udhëtojnë përmes Maqedonisë së Veriut të shmangin përkohësisht pikën kufitare Tabanoc ose të përdorin rrugë alternative, deri në normalizimin e situatës.

