Instituti i Shëndetit Publik dhe Qendra për Shëndet Publik nga Shkupi kanë shpallur epidemi të ethes së Nilit Perëndimor në disa pjesë të kryeqytetit të Maqedonisë.
Epidemi është shpallur në këto pjesë të Shkupit: Kisella Vodë te lagja Przhino, Aerodrom, Butel, Gazi Babë, Ilinden, Draçevë, Idrizovë, Jurumleri dhe Trubarevë.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, tha se nuk ka vend për panik, por ka nevojë për kujdes dhe përgjegjësi, përkatësisht që qytetarët të marrin masa për mbrojtje personale, të vishen me rroba përkatëse, si dhe të shmangin vendet ku ekspozimi ndaj mushkonjave është më i madh.
Lidhur me grupmoshën, dr. Goçevska theksoi se 22 persona janë të moshës mbi 60 vjeç.
– Bëhet fjalë për raste autoktone nga shteti ynë, ndërsa një person ka udhëtuar në Greqi. Të gjitha rastet janë me formë neuroinvalide (neuroinfektive), sqaroi dr. Goçevska.
Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, dr. Fadil Cana, informoi se pacientët po trajtohen në klinikë, e cila disponon me kapacitete dhe diagnostikim përkatës, transmeton portali Lideri.mk.
– Katër pacientë konsiderohen si të dyshuar dhe procedura diagnostikuese është në vijim. Tetë pacientë janë lëshuar për mjekim shtëpiak, por për fat të keq, duhet të informoj se një pacient 83-vjeçar ka ndërruar jetë. Pacienti kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese, theksoi dr. Cana.
Dr. Zllatko Arsenievski nga Qendra për Shëndet Publik Shkup informoi se dje është shpallur epidemi në disa komuna të prekura në qytetin e Shkupit, si Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden, si dhe në vendbanimet e prekura si Draçevë, Przhino, Dolno Lisiçe, Kadino, Jurumleri.
Autoritetet shëndetësore rekomandojnë që qytetarët të vendosin rrjeta në dritare, të përdorin spërkatës mbrojtës dhe të mos dalin jashtë gjatë perëndimit të diellit dhe në orët e hershme të mëngjesit.
Për momentin janë regjistruar 26 raste nga ana e ISHP-së, ndërsa për 24 prej tyre është konfirmuar se janë bartës të virusit. 25 janë nga Shkupi, kurse një është nga Velesi.
Bëhet fjalë për burra më të moshuar mbi 60 vjeç, të cilët kryesisht kanë kryer punë bujqësore e kopshtarie në orët e mbrëmjes dhe të mëngjesit të hershëm.
Në Klinikën për Sëmundje Infektive deri më tani janë regjistruar 29 pacientë, nga të cilët 5 janë në gjendje të rëndë dhe në ventilim mekanik. Nga virusi gjatë fundjavës ka ndërruar jetë një burrë 83-vjeçar, i cili kishte edhe sëmundje shoqëruese./Lideri

