Heqja e gjuhës shqipe nga tabelat shtetërore në pikën kufitare të Tabanocit, në territorin e komunës së Kumanovës, paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe të detyrimeve kushtetuese për përdorimin e gjuhëve, reagojnë nga BDI-ja një ditë pasi në rrjetet sociale erdhën reagimet e para. Pamjet tregonin që tabela në vendkalimin kufitar në Tabanoc ishte vetëm në maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht.
“Kërkojmë që gjuha shqipe të rikthehet menjëherë në tabelat shtetërore dhe institucionet përgjegjëse të kërkojnë falje publike për këtë shkelje. Vredi mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë”, thonë më tej nga BDI-ja. Sipas tyre, kjo është dëshmi e pafuqisë së VLEN-it për të mbrojtur të drejtat elementare të shqiptarëve. Si kundërpërgjigje, funksionarë te VLEN-it kanë publikuar vendime nga Gazetare Zyrtare të vitit 2020 ku parashikohet që tabelat në vendkalimet kufitare të jenë në maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht. Ata e fajësojnë pushtetin e BDI-së që ka lënë pa zgjidhur çështjen e përdorimit të gjuhës. /Alsat.mk

