Reagimi i ashpër i BDI-së ndaj deklaratave të Bekim Qokut ka hapur një debat të ri politik për Marrëveshjen e Ohrit dhe rolin e saj në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
BDI e akuzoi Qokun, të cilin e cilëson si “lider de facto të VLEN-it”, se me qëndrimet e tij ndaj Marrëveshjes së Ohrit është vendosur “në të njëjtën vijë me qëndrimet radikale antishqiptare” që kërkojnë dobësimin e kësaj marrëveshjeje.
Sipas BDI-së, Marrëveshja e Ohrit ka sjellë ndryshime themelore në sistemin kushtetues dhe politik të vendit, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, decentralizimin dhe mekanizmin e Badinterit.
Ndërkohë, Bekim Qoku në kundërpërgjigjen e tij deklaroi se Marrëveshja e Ohrit është pjesë e Kushtetutës dhe se ndryshimet e saj kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend. Ai e sfidoi BDI-në që të japë llogari për rezultatet konkrete gjatë 25 viteve të ekzistencës së saj.
Qoku ngriti akuza ndaj BDI-së për mungesë projektesh në zonat me shumicë shqiptare, duke pyetur për investimet në infrastrukturë, shëndetësi dhe zhvillim lokal.
Ai kërkoi gjithashtu përgjigje për çështje të lidhura me statusin e veteranëve, ligjin për gjuhën shqipe dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
“BDI dhe z. Ahmeti bën mirë të përgjigjet se ku është kanalizimi i Zajazit, ku janë rreth 10 milionë eurot e taksapaguesve evropianë?
Sa kanalizime të tjera i kanë konvertuar në “soravija”, vila e banesa luksoze familjarë të z. Ahmeti dhe funksionarë të lartë të partisë?
Janë pyetje të thjeshta. Ku janë projektet e BDI-së?”, është shprehur Qoku.
Përplasja mes dy kampeve shqiptare vjen në një kohë kur debati për trashëgiminë e Marrëveshjes së Ohrit dhe rolin e saj në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut është rikthyer në skenën publike. (INA)

