Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, tha se paketa e re ligjore për arsimin e lartë synon të rrisë cilësinë e studimeve universitare dhe ta afrojë sistemin e arsimit të lartë me standardet bashkëkohore dhe nevojat e tregut të punës. Në një prononcim për edicionin e lajmeve në TVM2, Sulejmani bëri të ditur se paketa përfshin tre ligje: Ligjin për Arsimin e Lartë, Ligjin për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore dhe Ligjin për Sigurimin dhe Rritjen e Cilësisë në Arsimin e Lartë. “Përmes pakos ligjore për arsimin e lartë, e cila përfshin tre ligje, synimi ynë është të ndikojmë në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë. Mendoj se ky ka qenë një ndër proceset më transparente të hartimit të ligjeve, pasi prej një viti e gjysmë është punuar në përgatitjen e këtyre propozim-ligjeve. Ligji tashmë ka kaluar Komisionin për Arsim dhe Komisionin Ligjvënës, ndërsa së shpejti do të shqyrtohet në seancë plenare. Kemi pranuar edhe sugjerimin e opozitës që në Kuvend të organizohet debat publik”, deklaroi Sulejmani. Ai theksoi se Ligji i ri për Arsimin e Lartë sjell një sërë risish që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së studimeve dhe në përgatitjen më të mirë të studentëve. “Ligji ofron programe studimi të organizuara në module, mundësinë për arsim të lartë dual, mësim praktik në përqindje prej 20 deri në 40 për qind, mikrocertifikata për fitimin dhe avancimin e aftësive, si dhe mundësinë e regjistrimit në arsimin e lartë përmes maturës shtetërore, maturës profesionale dhe asaj artistike. Këto janë disa nga risitë kryesore që do ta modernizojnë sistemin e arsimit të lartë”, u shpreh Sulejmani. Sipas tij, ndryshimet ligjore do të krijojnë një sistem më fleksibil, më cilësor dhe më të orientuar drejt nevojave të studentëve dhe zhvillimit të tregut të punës.

