Ndërsa shumë fshatra në Maqedoninë e Veriut përballen me shpërngulje dhe zbrazje, të dhënat zyrtare tregojnë një realitet tjetër në shumë vendbanime me shumicë shqiptare, përcjell INA.
Sipas Regjistrimit të Popullsisë 2021 të Entit Shtetëror të Statistikës, nga 19 fshatrat në vend me mbi 300 banorë ku më shumë se 30% e popullsisë janë fëmijë deri në moshën 14-vjeçare, shumica janë fshatra shqiptare.
Në krye të listës renditet Jabollçishti i Poshtëm (Komuna e Çashkës), ku 39,7% e popullsisë janë fëmijë, i ndjekur nga Jabollçishti i Epërm (38,3%) dhe Vranovci i Epërm (34,9%). Në këtë listë bëjnë pjesë edhe Batinci, Studeniçani, Cvetova, Draçevica, Orllanca dhe fshatra të tjera me popullsi shqiptare.
Këto të dhëna nga Enti i Statistikave dëshmojnë se në shumë fshatra shqiptare ka vitalitet demografik, familje të reja dhe një brez të ri që përbën bazën e zhvillimit të ardhshëm. Ky potencial duhet të mbështetet me investime në arsim, infrastrukturë, bujqësi dhe vende pune, në mënyrë që këto vendbanime të vazhdojnë të zhvillohen.(INA)

