19:57 – Policia e Kosovës është deklaruar në lidhje me raportimet për arrestimin e një shtetasi turk, për të cilin më herët u raportua se dyshohej për përfshirje në krime lufte në zonën e Krushës dhe rrethinës së Prizrenit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit Shaqir Bytyqi, deklaroi për Klankosova.tv se personi në fjalë është paraqitur në stacionin policor si ankues, ku është intervistuar nga zyrtarët policorë dhe më pas është liruar.
“Jo, nuk është arrestuar. Ai është lajmëruar vullnetarisht në stacionin policor të Prizrenit si ankues. Me urdhër të prokurorit, deklarata është dërguar në Prokurorinë Speciale për shqyrtim të mëtejshëm. Ai është intervistuar si ankues dhe është liruar”, tha Bytyqi për Klankosova.tv.
Klankosova.tv më herët raportoi për arrestimin e një të dyshuari për krime lufte, ndërsa burimet thanë se bëhet fjalë për të dyshuarin Shahin Bush.
Se ka pasur zhvillime në këtë drejtim, e ka konfirmuar edhe Petrit Kryeziu, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren.
I pyetur në lidhje me informacionet për arrestimin e një shtetasi turk të dyshuar për krime lufte, Kryeziu ka thënë:
“Pretendimet për krime lufte nuk janë kompetencë e Prokurorisë Themelore të Prizrenit. Ne si prokurori nuk kemi kompetencë për të ndërmarrë veprime në këtë drejtim. Lidhur me pretendimet që janë bërë të njohura tashmë për publikun, unë e kam njoftuar Departamentin për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, këta të fundit janë duke u marrë tani me çështjen”.
Policia e Kosovës dyshohet se ka arrestuar një shtetas turk, i cili dyshohet për kryerjen e krimeve të luftës në zonën e Krushës dhe rrethinës së Prizrenit.
Sipas burimeve të Klan Kosovës, i dyshuari dyshohet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në Masakrën e Krushës.
Klankosova.tv mëson se të dyshuarin në stacionin e Prizrenit e ka siguruar Prokuroria Themelore e kësaj komune dhe ia ka ofruar hetuesve nga Hetuesia e Veçantë, që punon me Prokurorinë Speciale.
Mësohet po ashtu se çështja po trajtohet në Departamentin për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

