Para pak më shumë se tre dekada, një djalë i ri nga Gostivari mbërrin në Zvicër me një kontratë sezonale prej disa muajsh, pa e ditur se ai udhëtim do t’i ndryshonte jetën.
Lirim Begzati duhej të kthehej në vendlindje pas përfundimit të angazhimit si punëtor sezonal. Por gjërat shkuan ndryshe: pothuajse tridhjetë e pesë vjet më vonë, ai jeton ende në Zvicër.
Me kalimin e kohës, ai vendosi të vazhdojë studimet universitare, një hap që në atë periudhë pak të huaj e ndiqnin. Studioi në Universitetin e Neuchâtel-it, ku fitoi titullin Master në Drejtësi, duke u radhitur ndër juristët e parë shqiptarë të diplomuar në një universitet zviceran në vitet ’90.
Dy djemtë e tij ndoqën një rrugë të ngjashme. Fisniku përfundoi studimet në Universitetin e Gjenevës me një Master në Ekonomi Ndërkombëtare dhe sot punon për një kompani amerikane në Gjenevë. Doriani fitoi para pak kohësh titullin Master në Drejtësi në Universitetin e Neuchâtel-it.
Nga një punë sezonale, te tre diploma universitare brenda një brezi të vetëm — një rrugëtim që familja Begzati nga Gostivari ndan thjesht si pjesë e historisë së vet.
Përndryshe, Lirimi është i biri i Begzat Begzatit, pishtar i arsimit dhe publicist.

