Profesor Paskal Milo ka rrëfyer në studion e “Quo Vadis” këtë të martë dy momentet e tij më të vështira si politikan dhe ministër.
Ai tha se momenti i parë ka qenë në vitin 1998, më 14 shtator, gjatë grushtit të shtetit, kur mes plumbave duhej të informonte ndërkombëtarët për situatën dhe të inkurajonte qytetarët që t’i bënin ballë.
Ndërsa momenti i dytë ishte kur, në rolin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, duhej të bindte delegacionin e Kosovës që t’i thoshte “po” marrëveshjes së Rambujesë.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Ju ishit ministër i Jashtëm në vitin 1997. Cilin mbani mend si momentin më të vështirë?
Milo: Ka shumë momente. I pari ka qenë 14 shtatori i vitit 1998, kur për shkak të atyre ngjarjeve unë mbeta vetëm në zyrë dhe mu desh të përballoja median shqiptare të kohës, që kërkonte të intervistonte një anëtar qeverie për të kuptuar çfarë po ndodhte. Unë nuk lëviza nga zyra, ndërkohë që rreth e rrotull isha i rrethuar nga forcat e opozitës. Duke qenë se askush nga qeveria nuk po përgjigjej në atë moment, përveç ministrit të Brendshëm, fillova të jap intervista për të inkurajuar njerëzit të rezistonin përballë një grushti shteti. Përveç kësaj, më duhej të informoja ndërkombëtarët për çfarë po ndodhte në Shqipëri. Për fat të keq ishte ditë e diel. Më kujtohet që kam marrë disa ministra të Jashtëm në telefonat e shtëpisë. Ministrin e Jashtëm të Polonisë e kërkova dhe më doli e shoqja; i kërkova që të ndërhynin, sepse po ndodhte një grusht shteti. Ajo më tha se ai ishte në Ukrainë. Nga Uashingtoni erdhën sinjalet e para të mbështetjes. Përballë plumbave që dëgjoheshin jashtë, erdhi edhe një televizion që më mori në intervistë, si dhe BBC e të tjerë. Atë ditë kam jetuar dhe punuar si në rrethim. Ka qenë një nga ditët më të vështira.
Borakaj: Momenti i dytë?
Milo: Ai i Rambujesë, dita e fundit e Konferencës së Rambujesë, më 23 shkurt 1999. Kisha vajtur nga Tirana me kërkesë të sekretares Ollbrajt për të punuar bashkë me të dhe për të bindur delegacionin e Kosovës që të jepte pëlqimin për nënshkrimin e marrëveshjes. Kryetari i delegacionit, Hashim Thaçi, rezistonte. Unë shkova për të takuar delegacionin dhe i takova dy herë, bashkë me Thaçin. Aty kam kaluar momente të mëdha përgjegjësie dhe tensioni të jashtëzakonshëm, për ta bindur që t’i thoshte “po” marrëveshjes.
Borakaj: Të dëgjonte?
Milo: Kanë qenë momente të vështira. Atje vendoseshin fatet. Ollbrajt dhe Hill më thoshin se nëse delegacioni i Kosovës nuk i thoshte “po” propozimeve të tyre, atëherë do ta harronin çështjen e Kosovës. Nga ana tjetër, Thaçi ishte nën një trysni të jashtëzakonshme; përgjegjësia ishte e madhe. Ishte i ri dhe përvoja i mungonte, por mbi të gjitha presioni për të marrë një vendim kaq të madh ishte i jashtëzakonshëm. Unë ndodhesha përballë përgjegjësisë si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, së bashku edhe me figura të tjera që nuk ishin fizikisht aty, si presidenti Mejdani, kryeministri Majko, shkrimtari Ismail Kadare dhe Sabri Godo. Iu drejtova Hashimit me shpirt dhe i thashë: “Më shiko drejt në sy, sepse sytë e tu më thonë që do të marrësh një vendim të drejtë.”
Borakaj: Çfarë ju tha ai?
Milo: Më tha: “Më jepni gjysmë ore kohë të marr një vendim.”
Borakaj: T’u dukën 30 minuta më të vështira?
Milo: Jo, sepse aty u kuptua që do të merrej një vendim pozitiv. Më pas ata formuluan atë dokument historik dhe i thanë “po” marrëveshjes së Rambujesë.

