Bordi i Transparencës ditën e djeshme publikoi çmimet e reja të shitjes së hidrokarbureve. Me vendimin e djeshëm, çmimi i naftës me pakicë do të jetë jo më shumë se 224 lekë për litër.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një komunikim në rrjetet sociale ditën e sotme tha se taksa mbi naftën në Shqipëri është më e larta në botë dhe po rëndon xhepat e qytetarëve. Berisha akuzon qeverinë se çmimet stratosferike janë pasojë e politikave të saj fiskale.
Berisha: Java që lamë pas u karakterizua nga një goditje e re për buxhetet tuaja familjare, për xhepat tuaj. Çmimi i naftës arriti në 224 lekë, një çmim ndër më të lartit në botë. Nuk ka dyshim se lëvizja e çmimit të naftës diktohet nga kriza energjetike e krijuar për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe goditjes së vendeve të Gjirit nga Irani. Por një rritje të tillë çmimi nuk e ka asnjë vend tjetër në botë.
Shqiptarët duhet ta dinë se qeveria shqiptare ka vendosur taksën më të lartë në botë mbi naftën. Asnjë vend tjetër nuk takson kaq rëndë naftën në shkallën 60 përqind të çmimit të saj. Shqipëria është rekord në Europë dhe në botë në taksimin e naftës, çka detyron kompanitë të mbajnë çmime stratosferike.
Berisha kërkoi përgjysmimin e taksave për të lehtësuar barrën mbi qytetarët.
Berisha: Në pamje të parë, taksa e naftës rëndon në xhepat e atyre që kanë vetura, dhe sigurisht rëndon në xhepat e tyre më shumë, por e vërteta është se ata që kanë më pak rëndohen më shumë. Dhe ata që kanë më pak janë ata që nuk kanë vetura sepse nafta ndikon direkt në transportin e të gjitha llojeve.
Nafta ndikon direkt tek çmimi i bukës, tek çmimi i ushqimeve, tek prodhimet bujqësore, pra ka ndikime të shumëllojta dhe dhimbje më shumë krijon tek ata që nuk kanë makina. Kështu që është emergjente përgjysmimi i taksave.
Berisha ftoi shqiptarët të bashkohen në revoltën e Partisë Demokratike kundër qeverisë.
Berisha: Me specialistët më të mirë të fushës jemi marrë në mënyrë intensive për të parë çdo variant të mundshëm dhe absolutisht nuk ka asnjë mundësi tjetër për të ndihmuar qytetarët përveç përgjysmimit të nivelit absurd të taksës 1.1 euro që nuk ekziston askund në botë. Ndaj dhe ftoj qytetarët shqiptarë të bashkohen në revoltën e PD kundër këtij regjimi sepse vështirësitë ekonomike sa më gjatë ta mbajmë, aq më të mëdha do jenë për ta.

