Nisma e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për të rishikuar mënyrën e dhënies së masave të sigurisë ishte një tjetër pikë debati këtë të enjte në studion e “Quo Vadis” në Vizion Plus.
I ftuar ish-gjyqtari Alaudin Malaj tha se mënyra si po zbatohet drejtësia aktualisht e vështirëson integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ai kritikoi mënyrën se si Kryetari i Gjykatës së Lartë mblodhi anëtarët për të marrë vendime, duke përdorur skemën “dy me një”, që sipas tij, mund të ketë sjellë pasoja negative dhe vendime të dyshimta.
Malaj thekson se është detyrim ligjor i Kryetarit dhe i anëtarëve të Gjykatës së Lartë të marrin vendime unifikuese për çdo fushë, jo vetëm për masat e sigurimit.
Ish-gjyqtari shtoi se sa i përket masave të sigurimit dhe arrestimit në burg, ne aktualisht jemi ‘me penallti’ për t’u futur në BE, teksa theksoi se asnjë shtet nuk të pranon në Bashkimin Evropian kur ti ke probleme të tilla me drejtësinë.
Malaj: Parashikohej që Gjykata e Lartë të merrte vetëm vendime unifikuese. Nëse kjo do të kishte ndodhur shtatë vjet më parë, sot Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje. Për mua, ekzistojnë dy kritere që janë shumë të rëndësishme për qytetarët, por ka edhe një problem tjetër: në këtë labirint do të futen bashkë me qytetarët edhe pushtetarët, sepse ligji nuk mund të bëhet ndryshe për pushtetarët e ndryshe për qytetarët. Ligji duhet të jetë i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë. Problemi më i madh me vendimet unifikuese është ky, përse Kryetari i Gjykatës së Lartë i mblodhi anëtarët në këtë kohë? Sepse Gjykata po merrte vendime me skemën ‘dy me një’; tre gjyqtarë merrnin vendime njehsuese, të cilat shërbenin si praktikë për të gjitha gjykatat e tjera, por që ishin tërësisht të dyshimta si vendime dhe mund të kenë sjellë pasoja. Për mendimin tim, është detyrim ligjor i Kryetarit dhe i anëtarëve të Gjykatës së Lartë që të marrin vendime unifikuese për çdo lloj fushe. Nuk po flasim vetëm për masat e sigurimit. Për sa i përket masave të sigurimit dhe arrestimit në burg, ne aktualisht jemi ‘me penallti’ për t’u futur në BE. Asnjë shtet nuk të pranon në Bashkimin Evropian kur ti ke probleme të tilla me drejtësinë në Shqipëri, veçanërisht me masat e sigurimit dhe arrestet në burg.
/vizionplus.tv

