Kryedemokrati Sali Berisha në deklaratën e tij në “Foltoren” e kësaj të hëne përballë kryeministrisë, është ndalur te protesta e një dite më parë.
Berisha tha se protesta e djeshme ishte nëj revoltë për tu thënë shqiptarëve se ashtu si 34 vite më parë ashtu do të rrëzohet edhe ky regjim.
“Ne zgjodhëm revoltën qytetare për të dëshmuar se PD, e cila 34 vite më parë solli në këtë vend sistemin demokratik, nuk pajtohet kurrë me diktaturën e drogës, krimit, dhunimit të shtetit dhe të qytetarëve shqiptarë. Pra, revolta jonë e djeshme apo kryengritja jonë paqësore, më shumë se çdo gjë tjetër ishte një zotim qytetar se ashtu siç përmbysëm 34 vite më parë të keqen e madhe, diktaturën komuniste, ashtu do të përmbysim dhe jemi në këmbë për të përmbysur diktaturën e drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.
Të dashur miq çdo shqiptar është i ftuar të mendojë apo t’i japë të paktën disa minuta në ditë mendimit për vendin e tij, kohë për vendin e tij, për gjendjen e Shqipërisë, për shoqërinë shqiptare, për të ardhmen e saj. Kjo është një kërkesë më e ligjshmja, është një detyrim më minimal që ne kemi ndaj këtij vendi. Dhe kam bindjen më të thellë se cilido që ndalet të meditojë për krizën e thellë që ka gllabëruar sot Shqipërinë, udhëkryqin e rrezikshëm në të cilin ndodhemi, do t’i japë përgjigje se revolta dhe protesta janë rruga e vetme për të përmbysur këtë regji”, tha Berisha.

