Ish-kryeministri dhe lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale deklaroi se partia ka marrë mbështetje të plotë nga Partia Popullore Evropiane dhe ka bërë thirrje që qytetarët të bashkohen nesër në protest.
Berisha i cili mori pjesë në samitin e 50-vjetorit të PPE-së në Bruksel, një ngjarje që sipas tij është vendimtare për çështjet e rëndësishme europiane, përfshirë mbështetjen për Ukrainën dhe trajtimin e krizës energjetike globale, tha se u morën vendime shumë të mëdha.
“PD, anëtare e asociuar e PPE, pati vendin e saj të merituar dhe mori mbështetje shumë të madhe,” tha Berisha, duke shtuar se në samit u diskutua gjithashtu gjendja e Shqipërisë dhe rreziku nga ajo që ai e cilëson si “narkoshtet” dhe “narkodiktaturë” nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
Berisha ftoi qytetarët që ditën e nesërme të marrin pjesë në një “kryengritje paqësore” në orën 18:00.
“Të bashkohemi nesër në orën 6 në rrugët dhe sheshet e Tiranës për të treguar forcën tonë, shpirtin tonë të pamposhtur me kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Tirana”, ishte mesazhi i tij.
Ai gjithashtu kritikoi qeverisjen e Ramës, duke theksuar se Shqipëria mbetet pas në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe se masat e fundit të qeverisë kanë penguar progresin.
“Ajo që mund t’u them qytetarëve është se njohuritë janë të plota për rrëshqitjen e Shqipërisë në një narkoshtet apo një narkodiktaturë dhe Edi Rrama sot është një diktator në rreth të kuq, pa të ardhme në Shqipëri dhe në Evropë. Duhet t’u them këtu se ai që dikur pranohej apo shpallej në mënyrë absolute të paqenë si sukses, tani ylli i tij është shuar, është një figurë e nxirë. Rastisi, por ishte koincidencë, por gjatë kohës që ne ishim në Bruksel, Mali i Zi u votua për të mbyllur kapitujt e rëndësishëm, kurse Shqipëria mbeti në klasë dhe nuk i mbylli dot”, tha ai.

