Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka dhënë një përditësim të ri mbi zhvillimet e luftës në Iran gjatë një konference për media, duke theksuar intensifikimin e operacioneve ushtarake amerikane dhe dobësimin e kapaciteteve iraniane.
Duke krahasuar regjimin iranian me Hamas në Gaza, Hegseth deklaroi se Irani ka investuar prej kohësh në tunele, raketa, sisteme raketore dhe dronë. Megjithatë, ai theksoi se Shtetet e Bashkuara po i godasin këto objektiva “në mënyrë metodike, të pamëshirshme dhe dërrmuese, siç vetëm ushtria amerikane është në gjendje të bëjë”.
Sipas tij, deri më tani SHBA ka goditur mbi 7,000 objektiva në Iran, ndërsa e enjtja pritet të shënojë valën më të madhe të sulmeve ajrore deri tani.
“Kapacitetet tona vazhdojnë të rriten, ndërsa ato të Iranit po degradohen,” u shpreh ai, duke shtuar se mbrojtja ajrore iraniane është “sheshuar”.
Hegseth bëri të ditur gjithashtu se sulmet me raketa balistike dhe dronë ndaj forcave amerikane janë ulur me 90% që nga fillimi i konfliktit. Ai ironizoi lidershipin ushtarak iranian duke thënë se “puna e fundit që dikush do të donte tani është të jetë drejtues i lartë në ushtrinë iraniane”, duke i quajtur këto poste “punë të përkohshme”.
Ai vijoi me deklaratat e tij të forta lidhur, duke theksuar se bota duhet të falënderojë presidentin Donald Trump për mënyrën se si po menaxhohet situata.
“Bota, Lindja e Mesme, aleatët tanë mosmirënjohës në Evropë, madje edhe segmente të shtypit tonë duhet t’i thonë një gjë Presidentit Trump – ‘faleminderit’”.

