Partia Socialiste e Partia Demokratike kanë zbarkuar në Gjermani.
Nesër një delegacion i drejtuar nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi do të zhvillojë në Berlin disa takime me përfaqësues të Bundestagut gjerman. Në axhendën e kryeparlamentarit është parashikuar një takim me presidenten e Bundestagut dhe një takim me kryetarin e Komitetit për çështjet evropiane.
Pjesë e delegacionit të kryetarit të Kuvendit përveç 3 deputetëve socialistë janë edhe Edmond Haxhinasto e Redi Muçi. Por bie në sy se në këtë delegacion kryetari i Kuvendit nuk ka marrë asnjë përfaqësues të Partisë Demokratike edhe pse kreu i grupit parlamentar të PD i ka çuar dy emrat e deputetëve.
Nga ana tjetër prej së martës në Berlin ndodhet dhe një delegacion i Partise Demokratike. Gazment Bardhi, Jorida Tabaku e Klevis Balliu të cilët po zhvillojnë takime me përfaqesues të CDU, partisë simotër që qeveris Gjermaninë.
Gjermania është një prej vendeve me peshën më të madhe brenda Bashkimit Evropian. Pak ditë më parë pasi mazhoranca socialiste rrëzoi kërkesen e SPAK-ut për arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku në një reagim ambasada gjermane theksoi se “Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian por kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë”./vizionplus.tv

