Mbyllen hetimet për ish- numrin dy i qeverisë Arben Ahmetaj për inceneratorin e Elbasanit. Ai u mor i pandehur nga SPAK nën dyshimet se ka kryer korrupsion 9 herë, nuk ka deklaruar të ardhuat 15 herë dhe ka pastruar para. Në bankën e akuzës përfunduan gruaja dhe ish- gruaja e tij dhe tetë persona të tjerë mes të cilëve edhe pronarët e impiantit të djegieve në Elbasan, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
“I pandehuri ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes kryerjes së pagesave nga shoqëria “Integrated Techonogy Services” sh.p.k. nga faturat e lëshuara për shërbime apo mallra, në lidhje me investimet e kryera nga të pandehurit Arben Ahmetaj dhe Albina Mançka, për shndërrimin e një apartamenti të tyre në AirBnb, në shumën rreth 2 milionë lekë në në vitet 2019 – 2020”, thuhet në vendimin e SPAK.
Sipas organit të akuzës Arben Ahmetaj ka përfituar edhe nga shitjet fiktive shuma të mëdha parash, e njëherësh ka kryer deklarim të rremë në formularin e ILDKLPI, ku ligji e detyron të tregojë origjinën e parave në llogaritë e tij.
“Ka kryer deklarim të rremë, në lidhje me pasqyrimin në deklaratat e dorëzuara në ILDKPKI sikur ka shitur pasuri për shtetasit Besmir Prifti dhe Sonila Goxha dhe transaksionet e kryera me ta lidhur me këto shit-blerje. Gjithashtu edhe sipërfaqen e ndërtimit mbetur në pronësi në pallatin ku ndodhen këto pasuri pasi u vërtetua se shitjet në fjalë janë fiktive dhe janë kryer me qëllim mbulimin/fshehjen e burimit të shumës prej 270 mijë euro, dhënë si mitë nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri”, thuhet në vendimin e SPAK.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se ish- zëvendës kryeministri i vendit, ka fshehur vilën në Hamallaj dhe një tjetër në Green Coast. Tashmë të 11 të pandehurit do të përballen me Gjykatën e Posaçme, nëse togat e zeza do të vendosin ta kalojnë apo jo për gjykim dosjen. Ndërkaq, Arben Ahmetaj po përballet aktualisht me një dosjen “Buka” në themel ku SPAK pretendon se ka kryer shpërdorim detyre duke privatizuar trojet./vizionplus.tv
Emrat e plotë:
Arben Ahmetaj,
Albina Mançka,
Erjola Hoxha,
Mirel Mërtiri,
Klodian Zoto,
Andi Boni,
Elda Dinaj,
Gerian Kuka,
Helidon Begaj,
Sonila Goxhaj
Sokol Meqemeja.

