Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mëngjesin e kësaj të hëne është paraqitur në SPAK në kuadër të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij.
Berisha u prit nga një grup mbështetësish para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, si edhe disa prej deputetëve të PD.
Pasi doli nga ambientet e SPAK, njësoj si herët e tjra, ai lexoi mesazhin që i la ish-drejtuesit të kësaj strukture, Altin Dumani.
“Altin Troplinit, mercenarit të Edi Ramës, armikut të egër të votës së lirë, Pojës së Skapit, drejtësia dhe ligji vonojnë, por nuk harrojnë”, tha Berisha për gazetarët.
Më pas Berisha sulmoi kryeministrin Rama dhe institucionet e drejtësisë. Ai deklaroi se Prokurori i Përgjithshëm, KLGJ dhe ILD nuk kanë bërë asnjë reagim, ndaj sulmeve të kryeministrit ndaj drejtësisë, sipas tij.,
“Në serialin e pafundmë të sharjeve të Edi Ramës ndaj Skapit që devijoi rrugën e partisë, ndaj gjykatës, ndaj prokurorëve, këta zyrtarë të themi të vërtetën nuk duhet të prish gojën, por këta meritojnë të quhen vetëm llum-zyrtarë, nuk guxojnë të bëjnë qoftë dhe një deklaratë të vetme në mbrojtje të këtyre institucioneve”, tha kreu i PD.
Në përfundim, Berisha tha se fjalën e fundit për kryeministrin e vendit do tat hoë sovrani.
“Bëj ç’të duash, të gjitha janë vetëm për Edi Ramën dhe absolutisht sovrani do të thotë fjalën e tij, do të jetë sovrani ai që do t’i tregojë vendin dhe do e çojë në bankën e të akuzuarve siç e meriton”, përfundoi ai.
Ish-kryeministri Berisha përballet me akuzën për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për përfshirje në korrupsion dhe veprime të paligjshme për pastrimin e parave lidhur me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

