Janë shpallur rezultatet e zgjedhjeve për drejtuesit e rinj të degëve të Partisë Demokratike në Shkodër dhe Vlorë.
Në Shkodër, pas përfundimit të numërimit të votave, Ardit Çylybyli është zgjedhur kryetari i ri i PD-së. Në votim morën pjesë 1781 anëtarë, ndërsa në listat e degës rezultojnë rreth 7100 anëtarë.
Çylybyli siguroi 1083 vota, duke fituar përballë kandidatit tjetër Gentian Ibro, i cili mori 687 vota, ndërsa 11 vota rezultuan të pavlefshme. Diferenca mes dy kandidatëve ishte 396 vota.
Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, Çylybyli falënderoi të gjithë anëtarët që e mbështetën dhe theksoi se nga nesër do të punojnë të gjithë së bashku për forcimin e strukturave të partisë. Ai tha se i ka dhënë dorën rivalit të tij menjëherë pas numërimit të votave, duke nënvizuar se qëllimi kryesor është bashkimi i demokratëve në Shkodër.
I pyetur për listën e anëtarësisë së PD-së, Çylybyli deklaroi se ajo do të rishikohet, ndërsa shtoi se pjesëmarrja në votim ishte më e lartë se pritshmëritë dhe tregoi një aktivizim më të madh të anëtarësisë së PD-së në Shkodër.
Ndërkohë, në Vlorë është zgjedhur kryetare e re e degës së Partisë Demokratike Nadire Meçorapaj. Sipas rezultatit final të votimit, Meçorapaj mori 496 vota, ndërsa kandidatja tjetër Darling Banushaj siguroi 106 vota. Në këtë proces u regjistruan edhe 13 vota të pavlefshme.

