Shkup, 27 shkurt – Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar publikisht ndaj një deklarate të zëvendëskryeministrit Bekim Sali, lidhur me formulimin e përdorur pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, shkruan gazeta KOHA.
Në një status në rrjetet sociale, Sali kishte njoftuar se me presidentin Begaj është diskutuar për “thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve tona, si dhe në planin kombëtar mes popujve tanë”, formulim që, sipas Ademit, lë të kuptohet se bëhet fjalë për dy popuj të ndryshëm shqiptarë.
Ademi thekson se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy shtete fqinje, anëtare të NATO-s dhe me aspiratë të përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por kjo, sipas tij, nuk duhet të ngatërrohet me përkatësinë kombëtare të shqiptarëve.
“Në Maqedoninë e Veriut jeton i njëjti popull shqiptar që jeton në Shqipëri, Kosovë e kudo ku ka shqiptarë. Marrëdhëniet ndërshtetërore nuk guxojnë të ngatërrohen me marrëdhëniet tona kombëtare si shqiptar. Jemi një komb. Jemi shqiptar. Vetëm aq, zoti Zëvendëskryeministër i Parë. Nuk jemi popuj të ndryshëm! Dhe kurrë s’kemi për të qenë”, ka shkruar Ademi në reagimin e tij.
Deklarata e Salit erdhi pas takimit me presidentin Begaj, ku sipas njoftimit të tij, është diskutuar për situatën aktuale politike në vend, si dhe për forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)


