Mentor Mellova
Ka emra që nuk shkruhen vetëm në dokumente të historisë, por mbeten në kujtesën e bashkëluftëtarëve dhe të një kohe të tërë.
Muzafer Haruni – për shumëkënd “Komandant Capi” – ishte një prej tyre.
I lindur dhe i rritur në Serovë të Shkupit, ai u bë pjesë e historisë së konfliktit të vitit 2001 si në mesin e figurave të para që hyri në Haraçinë, duke e shpallur zonë të lirë, përcjell INA.
Haruni veproi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), në Brigadën 114 “Fadil Nimani”, një njësi që mbante emrin e komandantit të njohur Fadil Nimani. Në mesin e bashkëluftëtarëve ai njihej për vendosmërinë, disiplinën dhe guximin në terren. Me togën që udhëhiqte, ishte ndër të parët që depërtoi nga Sllupçani drejt Haraçinës – një moment që për shumëkënd simbolizoi kthesë morale dhe ushtarake në zonë.
I rritur në një familje me traditë të theksuar atdhetare, ai nuk e pa angazhimin si zgjedhje personale, por si obligim moral. Në luftën e vitit 2001 iu bashkua edhe me tre vëllezërit e tij, duke e kthyer përkushtimin familjar në veprim konkret në terren.
Kontributi i tij nuk nisi e as përfundoi me konfliktin në Maqedoninë e Veriut. Gjatë luftës së Kosovës, Haruni ishte i angazhuar në ndihmë të refugjatëve shqiptarë, duke ofruar mbështetje në një kohë kur mijëra familje kërkonin strehë dhe siguri.
Por jeta e tij nuk ishte vetëm uniformë dhe front. Në përditshmëri, Muzafer Haruni njihej si artdashës dhe njeri urban. Ai ishte pronar i lokalit “Kapan An”, i cili në atë kohë konsiderohej si një nga hapësirat e rralla shqiptare në zonë – një vend ku kultura, muzika dhe debati qytetar gjenin strehë.
Më 25 dhjetor 2019, në moshën 59-vjeçare, ai u nda nga jeta. U varros në Varrezat e Dëshmorëve “Qëndresa” në Haraçinë të Shkupit, mes nderimesh dhe kujtimesh që vazhdojnë të ruhen nga familjarët, bashkëluftëtarët dhe qytetarët që e njohën.
Pas vetes la tre fëmijë – dy vajza dhe një djalë – dhe një emër që për shumëkënd mbetet i lidhur me guximin, përkushtimin dhe një periudhë që shënoi thellë historinë më të re të vendit.(INA)

