Një vajzë shtatëvjeçare ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi mbrëmjen e djeshme është goditur nga një automjet në bulevardin “Revolucioni i Tetorit” në Kumanovë.
Sipas njoftimit të Sektorit për Punë të Brendshme në Kumanovë, më 05.02.2026 rreth orës 19:05 është raportuar se një automjet i tipit “Volkswagen Golf”, me targa të Kumanovës, i drejtuar nga S.V. (23) nga Kumanova, ka goditur një fëmijë të mitur shtatëvjeçar nga i njëjti qytet.
Siç bëjnë të ditur nga policia, e mitura ka pësuar lëndime të rënda, të cilat janë konstatuar në Spitalin e Përgjithshëm në Kumanovë, prej nga është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Urgjente “Nënë Tereza” në Shkup.
Në vendin e ngjarjes është kryer këqyrje nga ekipi i Sektorit për Punë të Brendshme Kumanovë./Televizioni News

