Hulumtimi i publikuar nga revista Fokus, “Lugina e Ujqve e kreut të Tetovës”, ngre dyshime serioze dhe të argumentuara për lidhje klienteliste, familjare dhe politike në tenderët publikë në Komunën e Tetovës dhe atë të Zhelinës, thonë nga Aleanca për Shqiptarët, krahu u Taravarit. Sipas këtij hulumtimi, thonë ata, kompani të afërta me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, deputetin Adnan Azizi dhe funksionarë të tjerë të pushtetit aktual kanë përfituar tenderë publikë në vlerë mbi 6 milionë euro, duke krijuar indicë të qarta për korrupsion, konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, transmeton Portalb.mk.
“Veçanërisht shqetësues është favorizimi i kompanisë “Murana Kompani”, pronë e dajës së kryetarit Bilall Kasami, si dhe lidhjet zinxhirore me kompani partnere që, sipas Fokus, kanë përfituar nga projektet infrastrukturore në dy mandate radhazi. Pikëpyetje serioze ngre edhe mënyra e zhvillimit të procedurave tenderuese, ku nuk është kërkuar përvojë ndërtimore, por vetëm kritere minimale formale, në kundërshtim me parimet e konkurrencës së ndershme. Në një shtet ligjor, indicët serioze të dokumentuara në media obligojnë veprimin ex officio të Prokurorisë Publike. Heshtja institucionale dhe mungesa e reagimit nga Komuna e Tetovës vetëm sa e thellojnë dyshimin”, thonë nga ASH.
Aleanca për Shqiptarët kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe pa selektivitet politik, duke shtuar se paraja publike nuk është pronë familjare apo partiake.
Kompania “Murana Compani” në pronësi të Rakip Aliit, i cili është i afërm i kryetarit të Komunës të Tetovës dhe liderit të BESA-s, Bilall Kasami (Alii është pronar edhe i BMW-së luksoze me të cilën Kasami shkoi në takimin e fundit të liderëve në Klubin e deputetëve), ishte donatore e Komunës së Tetovës së bashku me një kompani ndërtimi, e cila po harton planin e ri urbanistik për hapësirën te “Shik Jellak”, shkruan Fokus.
Gjatë vitit 2023 Komuna e Tetovës në krye me Kasamin solli vendim për pranimin e një donacioni nga kompania e dajës së tij, Aliit, si dhe nga një kompani tjetër –“Pro Engineering”. Në Gazetën Zyrtare nr. 12 të Komunës thuhet se Këshilli Komunal më 14.07.2023 mori vendim për pranimin e donacionit nga këto subjekte.

