Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partia Demokratike Evropiane (PDE) kanë njoftuar për një hap të ri drejt bashkimit politik, pas një takimi zyrtar të zhvilluar mes kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryetarit të PDE-së, Arjanit Hoxha.
Sipas një komunikate të përbashkët për media, takimi është zhvilluar në frymë konstruktive dhe me vullnet të ndërsjellë për bashkëpunim politik. Në fokus të bisedimeve ka qenë nevoja për unifikimin e faktorëve politikë shqiptarë rreth një platforme të përbashkët, e cila synon të garantojë stabilitet politik, përfaqësim të fuqishëm institucional dhe avancim të proceseve euro-integruese të vendit.
Dy partitë bëjnë të ditur se janë dakorduar që në të ardhmen të funksionojnë si një subjekt i vetëm politik, në kuadër të BDI-së, duke e cilësuar atë si partinë më të konsoliduar dhe të organizuar shqiptare në vend. Me këtë hap, sipas tyre, do të bashkohen kapacitetet organizative, programore dhe njerëzore, në shërbim të interesit të përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Zyrtarizimi i vendimit dhe detajet organizative e procedurale të integrimit pritet të bëhen publike pas miratimit formal nga Këshilli i Përgjithshëm i BDI-së.
Në komunikatë theksohet se të dyja palët janë të bindura se ky bashkim do të shërbejë si model i përgjegjësisë politike dhe unitetit, në funksion të interesit qytetar dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

