
Shkruan: Menshir Misini
“JU-BAJ 2 paska reflektuar”
Reagimi qytetar është mjet i pazëvendësueshëm për parandalimin, devijimin dhe përmirësimin e të gjitha gabimeve, qofshin ato të qëllimshme apo të paqëllimshme.
Paramendoni: me pak vullnet nga qytetarët e Vaksincës, nga udhëheqja e bashkësisë vendore, si dhe nga unë si këshilltar në Këshillin Komunal, me insistim të pakompromis ia ndaluam punimet kompanisë që kinse po ndërtonte në fshatin tonë.
Kjo kompani (e siç duket shkelës janë edhe institucione të larta të komunës), brenda një periudhe kohore shkeli të gjitha detyrimet për realizim dhe ndërtim që i kishte për projektin konkret.
Kompania ndërtimore shkoi aq larg sa që, me papërgjegjësi të paparë, rrënoi dhe shkatërroi këndin e lojërave në fshat dhe kishte zënë me mbeturina rrugën (hyrjen) për në varrezat e fshatit tonë.
Ky reagim ynë qytetar e paska detyruar kompaninë ndërtimore të reflektojë pjesërisht: i ka hequr dhe pastruar mbeturinat te hyrja e varrezave.
Mirëpo, këndi i lojërave vazhdon të jetë i vandalizuar nga kjo kompani ndërtimore!
Si duket, zëri ynë qytetar nuk e ka prekur ende ndërgjegjen e kësaj kompanie.
E di se është e papranueshme dhe jashtë çdo norme njerëzore të involvohen fëmijët e fshatit.
Por po ia rikujtoj kompanisë ndërtimore dhe institucioneve komunale se fëmijët e fshatit janë pasuria që nuk mund të zëvendësohet me asgjë në këtë botë.
Ata i japin kuptim prindërve, familjes, shkollës, kopshteve, rrugëve tona dhe, gjithsesi, fëmijët e fshatit e mbushnin me gumëzhim, me të qeshura, me të bërtitura, por edhe me të qara, këndin e lojërave enkas të ndërtuar për ta.
Jam i bindur se bashkëfshatarët e mi këto gjëra nuk do t’i gëlltisin.
Ata dinë të rezistojnë, të protestojnë, të organizohen, të ndalojnë dhe të parandalojnë gjërat e shëmtuara.
Ata në vete, thellë, e kanë të ngërthyer zërin qytetar dhe e keqja nuk kalon mbi këtë zë!/ Televizioni News

