Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin europian Andreas Schieder është shprehur optimist sa I takon ecurisë së integrimit. Në një konferencë për mediat në Tiranë, ai tha se në nëntor pritet të hapet zyrtarisht grupkapitulli i fundit, ndërsa mbyllja e tyre do të nisë vitin e ardhshëm.
“Nga ana teknike ka mundësi që nëntor të hapet kapitulli i fundit, që do të thotë Shqipëria ti ketë hapur dhe të jetë duke negociuar të gjithë kapitujt dhe në 2026 të jetë viti ku kapitujt të mbyllen njëri pas tjetrit. Ky është një proces shumë strikt, ne shohim nëse janë përmbushur kushtet. Mesa ndoqa kam besim që vitin e ardhshëm shumica e kapitujve do të mbyllen. Që do të thotë në 2027 të kemi mundësinë që të gjithë kapitujt të mbyllen.”
Eurodeputeti nuk harroi të komentonte dhe punën e drejtësisë, duke i dhënë nota pozitive institucionit të SPAK.
“SPAK është komplet i pavarur. Më i pavarur se institucionet e tjera të ngjashme në vendet e BE. Ka një nivel të lartë pavarësie, kjo shkakton shumë diskutime. Kam dëgjuar kritika nga disa nën hetim nga SPAK që e kritikojnë, që thonë se duhet të hetojë më shumë nga palët e tjera, partitë e tjera. Ne si politikanë nuk është puna të gjykosh çështjet, prandaj kemi ekspertë, prokurorë e gjyqtarë. Duhet t’ua lëmë atyre të bëjnë punën.”
Zgjedhjet e 11 majit, Schieder i cilësoi të mirë-organizuara megjithatë apeloi që partitë të zbatojnë rekomandimet e OSBE-ODIHR, dhe të mos transformojnë atë ç’ka është e shkruar në letër.
“Sinqerisht kur shoh zgjedhjet e fundit në Shqipëri, nëse janë lokale apo parlamentare, janë të njëjtët njerëz që thonë të njëjtat gjëra për çfarëdo lloj zgjedhjesh. Ka një lloj tendence në politikën shqiptare që t’i bëjnë gjërat më dramatike seç duhet. Disa përdorin fjalë për zgjedhjet që nuk i shikon fare në raport, kam parasysh ata që i bëjnë më dramatike seç duhet. Dhe iu them shikoni dhe lexoni raportin me kujdes.”
Më herët, opozita dhe mazhoranca kanë pasur qëndrime të kundërta sa i përket raportit të OSBE-ODIHR ku të majtët e cilësuan pozitive ndërsa të djathtët e quajtën raportin, më negativin që Shqipëria ka marrë sa i përket zgjedhjeve.
/vizionplus.tv

