Sipas LSDM-së, partia e Hristijan Mickoskit është në panik, pasi ka humbur mbi 140 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, ndërsa përpiqet ta paraqesë rezultatin si fitore. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE pretendon rritje të ndjeshme në nivel kombëtar, duke theksuar se ka fituar 33 komuna në raundin e parë dhe ka shtuar për 17,5 për qind numrin e këshilltarëve komunalë
Ersan PAJAZITI
Shkup, 24 tetor – Pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, tensionet ndërmjet dy partive më të mëdha në vend – LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, janë shtuar dukshëm. Të dyja po pretendojnë sukses, ndërsa akuzojnë njëra-tjetrën për manipulim të opinionit publik. Sipas LSDM-së, partia e Hristijan Mickoskit është në panik, pasi ka humbur mbi 140 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, ndërsa përpiqet ta paraqesë rezultatin si fitore. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE pretendon rritje të ndjeshme në nivel kombëtar, duke theksuar se ka fituar 33 komuna në raundin e parë dhe ka shtuar për 17.5 për qind numrin e këshilltarëve komunalë.
LSDM: MICKOSKI NË PANIK, LSDM MBETET FORCA KRYESORE OPOZITARE
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë pretendon se VMRO-DPMNE është në panik, pasi LSDM është në rrugë për të fituar më shumë komuna në këto zgjedhje sesa VMRO-DPMNE kishte arritur të fitonte në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Nga LSDM theksojnë se VMRO-DPMNE nuk mund të pajtohet me faktin se LSDM mbetet partia më e fortë opozitare. Në reagimin e saj zyrtar, LSDM theksoi se, pavarësisht fushatës triumfaliste të VMRO-DPMNE-së, realiteti tregon një tjetër pamje. “Mickoski është në shok nga rezultati zgjedhor, sado që përpiqet në mënyrë triumfaliste ta helmojë opinionin me komunikata”, – thuhet në reagimin e LSDM-së.
Sipas partisë, nëse nesër do të mbaheshin zgjedhje parlamentare, VMRO-DPMNE do të fitonte shtatë deputetë më pak, ndërsa planet për “pasokizimin” e LSDM-së kanë dështuar. Socialdemokratët gjithashtu pretendojnë se qytetarët kanë refuzuar partnerin e VMRO-së, partinë ZNAM, e cila, sipas tyre, “duhej të ishte kali i Trojës për ndarjen e LSDM-së, por sot është në prag të zhdukjes politike”. Nga LSDM kanë paralajmëruar vazhdimin e fushatës në 17 komuna, duke u bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime dhe të mbështesin kandidatët e tyre në raundin e dytë.
VMRO-DPMNE: RAPORTI ËSHTË 10 ME 1 NË FAVORIN TONË
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE e cilësoi rezultatin e raundit të parë si fitore të qartë, duke theksuar se diferenca mes saj dhe LSDM-së është “dhjetë me një”. Nga VMRO-DPMNE thanë se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale ata e kanë pasqyruar suksesin e zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar në përqindje, ndërsa krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, kanë një rritje të numrit të votave për kandidatët për kryetarë komunash dhe për këshilltarë në komuna.
“Qytetarët e kanë njohur shpresën dhe punën e kuadrove të VMRO-DPMNE-së. Kemi rritje të numrit të votave dhe të këshilltarëve krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021. Kemi 82 këshilltarë më shumë dhe 33 komuna të fituara në raundin e parë – 50% më shumë se në 2021”, thuhet në analizën e partisë. Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), në raundin e parë VMRO-DPMNE dhe koalicioni i saj morën 301.720 vota, LSDM dhe koalicioni 125.758 vota, ndërsa AKI fitoi 114.246 vota dhe koalicioni VLEN 91.974 vota.
KSHZ REFUZON TË GJITHA 57 ANKESAT
Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka refuzuar të gjitha 57 ankesat e paraqitura për raundin e parë. “Kemi përfunduar shqyrtimin e ankesave të paraqitura. Të gjitha u refuzuan si të pabazuara ose të papranueshme”, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, në seancën e 149-të të Komisionit. Ai sqaroi se 37 ankesa kishin të bënin me procedurën e përmbledhjes së rezultateve dhe 20 të tjera me vetë procesin e votimit. Vendimet e KSHZ-së do të dërgohen në Gjykatën Administrative, e cila do të vendosë përfundimisht për komunat ku ka pasur kundërshtime. Në total, për 44 komuna janë shpallur rezultatet fillestare zyrtare, ndërsa në 11 komuna – mes tyre Haraçina, Buteli, Velesi, Gazi Baba, Prilepi, Çairi dhe Çashka – rezultatet mbeten pezull deri në vendimin gjyqësor.
“Pasi Gjykata të vendosë, ne do të shpallim rezultatet përfundimtare në ato komuna për të cilat ka pasur ankesa në një seancë publike në ditët në vijim, varësisht nga veprimet e Gjykatës Administrative, për të gjitha këto komuna ku ka pasur ankesa”, tha Kondarko. Siç informoi Kondarko, janë 33 komuna në të cilat nuk janë paraqitur kundërshtime për zgjedhjet për kryetar bashkie dhe për to KSHZ-ja po publikon rezultatet përfundimtare për votimin e përfunduar në raundin e parë për zgjedhjet për kryetar bashkie sot.
RAUNDI I DYTË: MË I SHKURTËR, POR MË I ASHPËR
Pas mbylljes së raundit të parë, fokusi tashmë është zhvendosur në raundin e dytë, ku pritet të vendosen disa nga komunat më të rëndësishme të vendit. Edhe pse fushata do të jetë më e shkurtër, pritet të jetë më e ashpër dhe më direkte, me përpjekje të dyanshme për të fituar mbështetjen e votuesve neutralë dhe për të konsoliduar bazat partiake. Në terren, beteja politike midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së pritet të ashpërsohet, me fushata të përqendruara në komunat urbane dhe ato simbolike për të dyja kampet politike.

