Në Tiranë, në datat 13-14 tetor, mbahet Forumi i parë i Investimeve BE–Ballkani Perëndimor (EU–WB6).
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndodhet në Tiranë. Ajo ka zhvilluar një konferencë me kryeministrin Edi Rama.
Rama u shpreh se biseda me Presidenten ka prekur të gjitha temat e interesit të përbashkët mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, duke e cilësuar takimin si një moment të rëndësishëm për vendin.
Ai theksoi se bashkëpunimi me BE-në do të vijojë në mënyrë të përpiktë, ndërsa një pjesë e diskutimeve iu kushtua forcimit të sigurisë në rajon dhe agresionit rus ndaj Ukrainës.
Rama: Me Presidenten kemi pasur një bashkëbisedim që ka prekur të gjitha temat e interesit të përbashkët dhe natyrisht që për ne mbetet një moment shumë i rëndësishëm dhe ne e vlerësojmë shumë faktin që Presidentja dhe Komisioni aktual i japin një rëndësi të posaçme BP dhe i japin një vëmendje të posaçme Procesit të përafrimit të vendeve tona me Ballkanin Perëndimor. Kemi folur për ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë. Një proces që në këndvështrimin tonë dhe sa dëgjova nga Presidentja, është duke ecur me shumë mbarësi dhe shpejtësi. Folëm edhe për planin e ri të rritjes që BE, Komisioni nën udhëheqjen e Presidentes, i ka vënë në dispozicion BP.
Do vazhdojmë të kryejmë me përpikmëri të gjitha detyrat që kemi marrë përsipër. Kemi folur për forcimin e sigurisë në rajon, duke pasur parasysh domosdoshmërinë që të lidhemi shumë më fort në funksion të qenies tonë. Kemi prekur dhe çështjen e agresionit rus ndaj Ukrainës. Jemi dakord që duhet të vazhdojmë të mbështesim pa rezervë Ukrainën, sepse aty në të vërtetë, përveç të tjerash, zhvillohet dhe një përplasje mes një mënyre të të parit të botës dhe të të kuptuarit të bashkëjetesës bazuar mbi parimet dhe vlerat e BE-së./vizionplus.tv

