Projekti i përbashkët i AC Milan dhe Inter për të ndërtuar një stadium të ri në lagjen ‘San Siro’ të qytetit mori dritën jeshile nga Këshilli i Qytetit të Milanos mbrëmë.
Këshilli i Qytetit miratoi një rezolutë të martën, në orën 4 të mëngjesit, duke miratuar shitjen e tokës së qytetit në të cilën ndodhet stadiumi dhe sipërfaqes përreth prej 28 hektarësh për 197 milionë euro, transmeton GazetaBlic Sport.
Debati para votimit në Këshillin Bashkiak zgjati 11 orë dhe u paraqitën 239 amendamente. Rezoluta që miratonte shitjen e tokës u votua pro nga 24 këshilltarë, 20 kundër dhe dy abstenuan.
Shumica e atyre që votuan kundër shitjes së tokës së qytetit besojnë se çmimi i shitjes prej 197 milionë eurosh është shumë i ulët. Ata ende kanë mundësi ligjore për të ngadalësuar projektin e ndërtimit të stadiumit të ri.
/GazetaBlic Sport/

