Përfaqësuesit e Shtabit komunal të Bashkimit Demokratik për Integrim në Kumanovë zhvilluan sot një takim me përfaqësuesit e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSCE/ODIHR për Zgjedhjet Vendore 2025, z. Milan Kuksa dhe znj. Inesa Chorni, të cilët ushtrojnë detyrën e vëzhguesve afatgjatë në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e garantimit të një procesi zgjedhor të lirë dhe demokratik, ku çdo qytetar të ketë mundësi të ushtrojë të drejtën e votës pa presione dhe pa shantazhe politike.
Shtabi lokal i BDI-së siguroi përfaqësuesit e OSCE/ODIHR se do të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar një fushatë të qetë, një garë të ndershme dhe një proces zgjedhor të zhvilluar në frymën e tolerancës dhe respektit të ndërsjellë.
Vullneti i qytetarëve është i pacënueshëm dhe i patjetërsueshëm.


