Sot paradite u zhvillua mbledhja e parë e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë dhe drejtues të institucioneve të pavarura ndoqën nisjen e punimeve të legjislaturës së 11. Seanca e parë u drejtua nga deputeti më i vjetër, socialisti Vasil Llajo.
Kjo seancë e parë ka karakter ceremonial dhe i vetmi vendim ishte ngritja e komisionit të përkohshëm që verifikon mandatet e deputetëve.
Sipas Rregullores, diskutimet nuk lejohen derisa Kuvendi të ngrejë strukturat e tij, por lideri i opozitës, Sali Berisha, vendosi ta injorojë këtë ndalim.
“Kryesuesi i seancës nuk lexoi emrat e Bahri Bajrit, Pëllumb Gjokës. Nuk lexoi pra emrat e deputetëve të vërtetë të partisë së krimit, PS-së, por vetëm prestanomet. Lexoi Lubi Ballukun, mbi të cilën…,” tha Berisha.
Kryeministri Edi Rama preferoi që të reagojë ndaj opozitës në rrjetet sociale.
“Diella pa parlamentin sot dhe sapo më tha: Humbës nuk është kush rrëzohet, po është ai që gërmon aty ku ra! Si i bëhet e pyeta? Kurrë mos e pengo tha, kundërshtarin që po gabon”, shkruan Rama në platformën X.
Parlameti do të mblidhet sërish në orën 17:00 dhe deputetët do të bëjnë betimin duke nisur zyrtarisht detyrën në parlamentin e Shqipërisë.
Pasdite do të zgjidhet edhe kryetari i ri i parlamentit Niko Peleshi.

