Faton Zenuni është trajneri i parë shqiptar në Komunën e Kumanovës dhe të Likovës që themeloi një klub basketbolli, me synimin fisnik për të angazhuar të rinjtë në sport dhe për të ndërtuar një të ardhme më të shëndetshme dhe aktive për ta.
Dashuria për sportin nuk është e rastësishme – ajo është trashëguar brez pas brezi. Pasionin për sportin,
Faton Zenuni e ka marrë nga babai i tij i ndjerë, një figurë që la gjurmë në jetën e tij dhe ndikoi thellësisht në rrugën që zgjodhi.
Sot, ai po e bart këtë trashëgimi me krenari dhe përkushtim te gjeneratat e reja. Me përkushtim të madh, ai ka krijuar një hapësirë ku të rinjtë — djem dhe vajza — zhvillojnë talentin e tyre sportiv, mësojnë disiplinën, punën ekipore dhe vlerat e një jete të shëndetshme.
Klubi i tij është ndër të paktët në rajon që inkurajon pjesëmarrjen e vajzave në sport, duke u dhënë mundësi të barabarta për të arritur sukses. Nën drejtimin e Zenunit, klubi ka marrë pjesë në shumë gara dhe liga të ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke përfaqësuar me dinjitet komunitetin shqiptar dhe duke dëshmuar se përmes sportit mund të arrihet shumë.
Faton Zenuni është më shumë se një trajner – ai është një frymëzim për brezat e rinj dhe një shembull i gjallë i trashëgimisë, përkushtimit dhe dashurisë për sportin./Televizioni News


