Nga bankat dhe telekomunikacioni deri në sektorin e sigurisë, Beogradi po ndërton një rrjet ndikimesh strategjike duke e orientuar qeverinë maqedonase larg integrimit europian dhe drejt boshtit lindor
Nga Valmir AZIRI
Maqedonia e Veriut është shndërruar në terren përplasjesh të heshtura mes Lindjes dhe Perëndimit. Serbia, me mbështetjen e Rusisë, ka ndërmarrë një ofensivë të për të forcuar ndikimin e saj në Shkup. Nga bankat dhe telekomunikacioni deri në sektorin e sigurisë, Beogradi po ndërton një rrjet ndikimesh strategjike duke e orientuar qeverinë maqedonase larg integrimit europian dhe drejt boshtit lindor.
SERBIA PËRDOR EKONOMINË SI ARMË
Gjatë vitit të fundit, Serbia ka shtuar në mënyrë të dukshme praninë e saj ekonomike në Maqedoninë e Veriut. Përmes investimeve në banka dhe kompani telekomunikacioni, si dhe duke forcuar lidhjet në institucionet e sigurisë, Beogradi ka siguruar një kontroll të heshtur mbi sektorët më delikatë të shtetit. Kreditet e mëdha nga Hungaria, një vend shpesh kritik ndaj Brukselit, vetëm sa e thellojnë varësinë e qeverisë nga boshti serbo-rus.
DIPLOMACIA SHQIPTARE: NJË BETEJË AKTIVE
Në këtë situatë, Shqipëria ka ndërhyrë më fuqishëm se kurrë më parë. Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, po zhvilluar një betejë aktive, për të parandaluar depërtimin e ndikimit serb. Përmes takimeve intensive, presionit diplomatik dhe kontakteve të vazhdueshme me partnerët perëndimorë, ai ka ngritur barriera të dukshme kundër strategjive të Beogradit. Kjo diplomaci e angazhuar i ka dhënë Tiranës një rol të ri si garant i interesave shqiptare dhe euroatlantike në rajon.
NËNKRYETAR SERB NË QEVERI, SHENJË E QARTË E NDIKIMIT
Një tjetër zhvillim që ka alarmuar opinionin është vendosja e një sërbi si nënkryetar i qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Ky post strategjik, që duhet të shërbente për balancë politike, është kthyer në garanci për interesat e Beogradit. Me këtë lëvizje, Serbia jo vetëm që ka fuqizuar praninë e saj politike në Shkup, por ka marrë edhe një pozicion kyç brenda strukturës ekzekutive të shtetit.
SHQIPTARËT MIDIS MBROJTJES DHE KOMPROMISIT
Për shqiptarët, situata është e dyfishtë. Nga njëra anë, Tirana është e angazhuar seriozisht për të mos lejuar që ata të kthehen në vegël të interesave lindore. Dalja e Arben Taravarit nga qeveria, e kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Tirana, ishte dëshmi e kësaj strategjie. Nga ana tjetër, pjesëmarrja e koalicionit VLEN në qeveri i shërben vetëm si fasadë një ekzekutivi të dominuar nga interesat e Beogradit. Shqiptarët në këtë rast rrezikojnë të përdoren si mbulesë politike për vendime që në thelb janë anti-shqiptare dhe anti-perëndimore.
INTEGRIMI EUROPIAN I BLLOKUAR
Në këtë skenë të komplikuar, integrimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian ka mbetur i bllokuar. Jo për shkak të skepticizmit të Brukselit, por për shkak të varësive të krijuara nga qeveria e Shkupit me Serbinë dhe Hungarinë. E ardhmja e shqiptarëve në këtë vend varet nga zgjedhja: të pranojnë të mbeten peng i interesave serbe, apo të mbështesin pa rezerva linjën e Tiranës dhe partnerëve perëndimorë.

