Ish kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti vetë e pranoi dëmin që ia ka shkaktuar Komunës që e ka udhëhequr me vite ai personalisht dhe miku i tij, kryetari në largim. Ai me gojën e tij tha se Çairi sot është njëjtë siç ishte Shkupi pas tërmetit famëkeq dhe pranon se ka nevojë për një rindërtim dhe shpëtim. Kështu thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët, ndërsa kanë komentuar premtimin e Mexhitit që, së bashku me arkitektin nga Stambolli, do ta rindërtojnë Çairin.
“Ky rindërtim nuk mund t’i besohet atij që e shkatërroi, e as ekspertëve që sjell ai, sepse teatro të tilla ka bërë edhe në të kaluarën, duke sjellë investitorë, donatorë e afaristë, por duke ua mbyll derën të njëjtëve pas mbarimit të zgjedhjeve. T’i besosh rindërtimin e Çairit njeriut që e shkaktoi gjithë atë katrahurë është njëjtë sikur të besosh se një tërmet i ngjashëm do ta rregullonte Shkupin”, thuhet në reagimin e ASH-së, ndërsa shtojnë se nuk mund të shpresohet tek njeriu që dyshohet për keqpërdorim të mbi 250 milion eurove, për ndërtimin e 150 ndërtesave ilegale që jo vetëm shkelin ligjin, por rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve që janë mashtruar e manipuluar me procedura antiligjore.
“Shkupi i vjetër para kaosit, mbingarkimit, duhet të shpëtojë nga udhëheqësia e kriminalizuar dhe korruptuar që e ka kapur dhe e trajton si pronë të veten”.

