“Ndërmarrja ka angazhuar rreth 60 persona me kontrata në vepër, të cilët janë aktivistë partiakë. Për këta persona, pagesat bëhen rregullisht, edhe pse afërsisht 30 prej tyre nuk paraqiten fare në punë. Pra, ndërsa punëtorët e vërtetë nuk marrin sigurimet bazë, aktivistët partiakë shpërblehen për një punë që nuk e kryejnë aspak”, tha zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të BDI-së, Hamit Hajrullahi
Urim HASIPI
Tetovë, 19 gusht – Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar me akuzat ndaj pushtetit lokal në Tetovë. Kësaj radhe, akuzat nga selia e integristëve kanë të bëjnë me kontratat afatshkurtra në prag të zgjedhjeve. Sipas BDI-së, edhe pas shumë problemeve në ndërmarrje, mungesës së pagave për muaj të tërë dhe borxhit që sa vjen e rritet, pushteti komunal ka zgjedhur përsëri të mos e respektojë dinjitetin dhe punën e punëtorëve të Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova.
“Ndërmarrja Publike Komunale Tetova – Tetovë ka rreth 93 punëtorë të rregullt, kryesisht nga shtresat më të varfra të qytetit, të cilët kujdesen për pastrimin dhe higjienën publike. Për ta, kjo punë është burim jetese dhe mjeti i vetëm për të siguruar të ardhura për familjet e tyre. Megjithatë, këtyre punëtorëve nuk u janë paguar në mënyrë të rregullt sigurimet shëndetësore dhe pensionale për 18 muaj rresht. Borxhet ndaj punëtorëve të rregullt me vendim pune janë të mëdha. Vetëm në vitin 2024, ndërmarrja ka akumuluar mbi 25 milionë denarë detyrime të papaguara për tatime dhe kontribute mbi pagat. Ky borxh lidhet drejtpërdrejt me punëtorët me vendime pune në ndërmarrje, të cilët mbahen të papaguar dhe të nëpërkëmbur”, tha zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të BDI-së, Hamit Hajrullahi.
Më tej, nga Bashkimi Demokratik për Integrim akuzuan se poashtu janë angazhuar persona me kontrata në vepër të cilëve pagesat u paguhen rregullisht.
“Në të njëjtën kohë, ndërmarrja ka angazhuar rreth 60 persona me kontrata në vepër, të cilët janë aktivistë partiakë. Për këta persona, pagesat bëhen rregullisht, edhe pse afërsisht 30 prej tyre nuk paraqiten fare në punë. Pra, ndërsa punëtorët e vërtetë nuk marrin sigurimet bazë, aktivistët partiakë shpërblehen për një punë që nuk e kryejnë aspak”, tha zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të BDI-së, Hamit Hajrullahi. Akuzat erdhën një ditë pas që Komuna e Tetovës së bashku me Ndërmarrjen Publike Komunale Tetova, publikuan në rrjetet sociale se nuk ka më kontrata në vepër!
“Sot u zgjidh një problem shumëvjeçar! Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Tetova’, Samet Bislimi, sot ju dha punëtorëve kontratat pune me kohë të caktuar duke përfshirë sigurimin shëndetësor dhe pensional. Nga sot çdo punëtor ka dinjitetin e merituar. Edhe një problem i trashëguar u zgjidh”, qëndronte në publikimin e Komunës së Tetovës. Nga Komuna e Tetovës kanë hedhur poshtë pretendimet e BDI-së duke nënvizuar se gjendja me pagesat e punëtorëve është përmirësuar dukshëm nga e kaluara. (koha.mk)

