Pas motit të keq që dje (e diel, 17 gusht) përfshiu Lubojnon e Resnjës duke shkaktuar dëme dhe përmbytje në rrugë e shtëpi, sot (e hënë, 18 gusht) pritet mot i ri i keq në disa pjesë të Republikës së Maqedonisë. Vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore e lagësht dhe jostabile, e lidhur me një front atmosferik nga veriu me ajër më të ftohtë në lartësi.
Moti do të jetë pjesërisht i vranët dhe i paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të fortë në pjesën më të madhe të vendit. Lokalisht proceset atmosferike do të jenë më intensive, me stuhi të shoqëruara nga reshje të dendura shiu, erë e fuqishme, shkarkesa elektrike dhe reshje breshëri. Edhe në Shkup dhe rrethinë sot (e hënë, 18 gusht) moti do të jetë i paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të fortë. Në disa pjesë të luginës priten kushte për stuhi të shoqëruara me erëra të fuqishme dhe breshër.
Temperaturat sot do të lëvizin nga 25 deri në 34 gradë Celsius. Në Shkup dhe rrethinë temperatura maksimale do të arrijë deri në rreth 32 gradë.
Apelohet që, për shkak të motit shumë jostabil, në rast të stuhive dhe shkarkesave elektrike, qytetarët të jenë më të kujdesshëm: të mos qëndrojnë në hapësira të hapura dhe nën pemë të vetmuara gjatë rrufesë. Po ashtu, në rast të erërave të forta, qytetarët këshillohen të mbrojnë automjetet e tyre dhe të mos i parkojnë pranë pemëve, sidomos atyre të vjetra dhe të vetmuara.

