Alex Iwobi ka qenë aktiv në rrjetet sociale , veçanërisht në Snapchat, me qëllim që t’u tregojë tifozëve realitetin e lojtarëve në dhomën e zhveshjes, por ky aktivitet i mesfushorit tani është kufizuar nga Fulham.
Nigeriani zbuloi se departamenti i medias e ka ndaluar atë të ndajë momente prapa skenave nga klubi, duke e penguar atë të vazhdojë të tregojë se çfarë ndodh në dhomën e zhveshjes së ekipit të udhëhequr nga Marco Silva.
Në postimet e tij të fundit, lojtari tregoi Adama Traoren dhe Calvin Bassin duke bërë shaka, por ky lloj aktiviteti nuk filloi te Fulham: edhe kur luante për Evertonin, ai kishte zakon t’u tregonte tifozëve se çfarë po ndodhte jashtë fushës.
“Për ata që pyesin veten pse nuk postoj momente prapa skenave nga dhoma e zhveshjes, dikush në ekipin e medias më tha se nuk po kapja gjërat e duhura”, shkruajti ai në Snapchat, duke shtuar, “Pra, s’ka më skena prapa skenave”.
“Ata më thanë gjithashtu se mund të më gjobitnin nëse vazhdoja ta bëja, po përpiqen ta ndalojnë në dhomën tonë të zhveshjes. Kështu që nuk po e ndaj më, gjë që është për të ardhur keq, e di që ju pëlqen të shihni se si janë shokët e mi të ekipit prapa skenave. Por unë duhet të ndjek rregullat”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/

