Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, gjatë qëndrimit të tij në Uashington, realizoi takim të veçantë me ambasadorin Uilliam Uoker – njeriun që denoncoi masakrën e Reçakut dhe tronditi ndërgjegjen ndërkombëtare mbi krimet në Kosovë, njofton Aleanca për Shqiptarët.
“Sot kisha privilegjin e jetës sime të jem i ftuar në shtëpinë e tij. Ka disa njerëz që me trimërinë e tyre bëjnë vepra të jashtëzakonshme si çlirimi i një shteti. Një figurë e këtij kalibri është edhe ambasadori Uoker,” u shpreh Taravari pas takimit.
Në takim, thuhet në kumtesë, mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani.
Ky takim vjen në kuadër të pjesëmarrjes së delegacionit të Aleancës për Shqiptarët në Samitin Global për të Drejtat e Njeriut në SHBA, ku po trajtohen sfidat e demokracisë, të drejtave civile dhe lirisë së popujve.

