Sonte zhvillohet ndeshja kthyese mes FC Differdange dhe Dritës, në kuadër të turit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve.
Drita ka fituar duelin e parë të luajtur në ‘Fadil Vokrri’, një javë më parë, me rezultat 1-0, megjithatë, gjithçka mbetet e hapur për sfidën që do të zhvillohet sonte në Luksemburg.
Skuadra nga Kosova, e udhëhequr nga trajneri Zekirija Ramadani, do të kërkojë rezultat pozitiv për të kaluar më tej në raundin e dytë dhe për të vazhduar ëndrrën evropiane.
Ish futbollisti i këasj skuadre, Astrit Fazliu, është prononcuar për ‘GazetaBlic Sport’, para këtij takimi. Fazliu është paraqitur me fanellën e ‘Intelektualëve’ në garat evropiane dhe beson që pikërisht skuadra kosovare do të kalojë tutje nga ky takim.
“Ne tashmë e dimë që Drita ka shumë përvojë të madhe në ndërkombëtare dhe mendoj se do t’i ndihmoj shumë. Kjo ndeshje do të jetë e vështirë sepse kundërshtari është një ekip i fortë dhe si vendas ka arritur gjithashtu shumë rezultate të mira. Rezultati 1-0 nuk është shumë komod, por besoj dhe shpresoj që Drita do ta kalojë këtë raund”, tha fillimisht, Fazliu.
Tutje, ai komentoi edhe gjasat e kësaj skuadre për të përfunduar së paku në grupet e Conference League.
“Po, ndeshja e parë është e vështirë, por pastaj ndeshjet e tjera janë të ndryshme sepse skuadra fillon të ambientohet. Besoj se në këtë edicion, Drita ka gjasa për kualifikim në garat e Conference League“, përfundoi Fazliu.
/GazetaBlic Sport/

