Negociatat midis Izraelit dhe Hamasit në Katar për një armëpushim të ri në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve janë në prag të dështimit, sipas zyrtarëve palestinezë.
Një zyrtar i lartë i tha BBC-së se Izraeli kishte “fituar kohë” gjatë vizitës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Uashington këtë javë dhe e kishte bllokuar qëllimisht procesin duke dërguar një delegacion në Doha pa autoritet për të marrë vendime mbi pikat kryesore të marrëveshjes.
Përpara se të largohej nga SHBA të enjten, Netanyahu u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje |brenda pak ditësh”.
Ai tha se sipas marrëveshjes së propozuar, Hamasi të lironte gjysmën e 20 pengjeve të gjallë që ende mban dhe pak më shumë se gjysmën e 30 pengjeve të vdekur gjatë një armëpushimi që do të zgjasë 60 ditë.
Që nga e diela e kaluar, negociatorët izraelitë dhe të Hamasit kanë marrë pjesë në tetë raunde bisedimesh indirekte në Doha.
Por të premten në mbrëmje, zyrtarët palestinezë të njohur me negociatat i thanë BBC-së se ato ishin në prag të dështimit, pasi të dyja palët janë thellësisht të ndara në disa çështje të diskutueshme.
Me bisedimet në një pikë kritike, pala palestineze po i bën thirrje SHBA-së të ndërhyjë më me forcë dhe të ushtrojë presion mbi Izraelin që të arrihet një marrëveshje.
Pa një ndërhyrje të tillë, paralajmërojnë ndërmjetësuesit, negociatat në Doha mund të dështojnë plotësisht./vizionplus.tv

