Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi mori pjesë në prezantimin publik të Planit Operativ të Punësimit 2025 në Kumanovë, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe Agjencia e Punësimit. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të shumtë, të rinjve, kompanive dhe përfaqësuesve të institucioneve lokale, të cilët treguan interes serioz për mbështetjen shtetërore për punësimin dhe përparimin ekonomik.
“Ne nuk ofrojmë premtime deklarative, por mjete konkrete për ndryshim. Investojmë 40 milionë euro në masa aktive që duhet të ndihmojnë qytetarët të qëndrojnë këtu, të përparojnë dhe të realizojnë potencialin e tyre”, theksoi ministri Durmishi.
Plani për vitin 2025 parashikon investim prej 40 milionë eurosh, që synon më shumë se 10.000 qytetarë, ndërsa pjesëmarrja e deritanishme tregon se masat tashmë po japin efektin e dëshiruar.

