Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka përshëndetur hapjen zyrtare të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Strugë, duke e cilësuar si një ditë historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Përmes një reagimi publik, Taravari theksoi rëndësinë e këtij hapi diplomatik, i cili jo vetëm forcon lidhjet historike dhe kulturore me Shqipërinë, por njëkohësisht sjell lehtësira konkrete për mijëra qytetarë shqiptarë në këtë pjesë të vendit.
“Sot, Struga nuk është vetëm qytet i liqenit dhe poezisë, është bërë edhe qytet i diplomacisë shqiptare,” tha Taravari, duke e vlerësuar hapjen e konsullatës si një hap të shumëpritur dhe të domosdoshëm.
Ai shtoi se kjo nismë përbën një tregues të qartë të vullnetit politik për afrimin mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit dhe ofrimin e shërbimeve konsullore më afër qytetarëve, pa pasur nevojë për udhëtime të lodhshme drejt Tiranës apo Shkupit.
“Ne, si Aleanca për Shqiptarët, e përshëndesim këtë hap të rëndësishëm dhe urojmë që bashkëpunimi i tillë të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen,” përfundoi Taravari.

