Kumanovë, 25 qershor- Këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Këshillin e Komunës së Kumanovës kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për gjendjen alarmante të Ndërmarrjes Publike “Pastrim dhe Gjelbërim”, e cila aktualisht përballet me borxhe të mëdha, llogari të bllokuara bankare dhe rrezik konfiskimi të pajisjeve të punës. Në një reagim publik, ata kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të drejtorit të ndërmarrjes, Nenad Stojanovski, duke e akuzuar për keqmenaxhim, shkelje të të drejtave të punonjësve dhe mungesë të masave për të shmangur krizën.
Komunikata e plotë e BDI:
Ne, këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Këshillin e Komunës së Kumanovës, shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me gjendjen alarmante financiare dhe institucionale të Ndërmarrjes Publike “Pastrim dhe Gjelbërim”, e cila ka arritur një borxh total prej qindra mijëra eurosh, ka të bllokuara llogaritë bankare dhe ndodhet në proces konfiskimi të pajisjeve themelore të punës.
Sipas informacioneve të publikuara:
•Ndërmarrja ka borxh mbi 200.000 euro ndaj punonjësve, të cilët kanë fituar të drejtën në gjykatë për kompensim të papaguar për pushime vjetore dhe shtesa pune gjatë viteve 2018–2020.
•Borxhi individual ndaj secilit punonjës ka arritur në rreth 220.000 denarë, duke përfshirë shpenzimet gjyqësore dhe përmbarimore.
•Drejtori aktual, z. Nenad Stojanovski, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm për situatën ligjore dhe financiare, nuk ka marrë masa efektive për të parandaluar këtë krizë të rëndë.
•Përveç kësaj, ndërmarrja ka borxh ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike (UJP) në vlerë prej 400.000 euro, i akumuluar që nga viti 2004, dhe e ka përmbyllur vitin e fundit me një humbje prej mbi 7,2 milionë denarësh.
Përballë këtyre të dhënave shqetësuese, mungesa e përgjegjësisë, transparencës dhe vizionit drejtues është plotësisht e papranueshme. Qytetarët e Kumanovës meritojnë shërbime efikase dhe institucione që menaxhohen me përkushtim, integritet dhe profesionalizëm.
Prandaj, ne si këshilltarë të BDI-së kërkojmë publikisht dorëheqjen e menjëhershme të drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Pastrim dhe Gjelbërim”, z. Nenad Stojanovski, për:
•Keqmenaxhim të fondeve publike;
•Shkelje të të drejtave të punonjësve;
•Rrezikim të funksionimit të ndërmarrjes dhe mirëqenies urbane;
•Dështim në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për borxhet dhe funksionalitetin e ndërmarrjes.
Nëse z. Stojanovski nuk jep dorëheqje, do të kërkojmë shkarkimin e tij përmes një kërkese zyrtare drejtuar Kryetarit të Komunës së Kumanovës, z. Maksim Dimitrievski.
Kjo nuk është një çështje partiake, por një interes i drejtpërdrejtë qytetar i banorëve të Kumanovës, të cilëve u garantojmë se nuk do të lejojmë që dështimet sistematike dhe menaxhimi i papërgjegjshëm t’i lënë pa shërbime bazë dhe pa dinjitet në punë./ Televizioni News

