Bordi drejtues i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) ka konstatuar zyrtarisht se Irani nuk i përmbush detyrimet e tij bërthamore për herë të parë në 20 vjet, gjë që mund të hapë rrugën për rivendosjen e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Teheranit më vonë këtë vit.
Irani reagoi menjëherë ndaj këtij vendimi duke njoftuar se do të krijojë një strukturë të re për pasurimin e uraniumit, e cila, siç u njoftua, do të jetë “në një vend të sigurt”, shkruan Euronews.
“Republika Islamike e Iranit nuk ka zgjidhje tjetër veçse t’i përgjigjet kësaj rezolute politike”, thanë në një deklaratë të përbashkët Ministria e Jashtme iraniane dhe Organizata e Energjisë Atomike e Iranit.
Sipas diplomatëve që folën në kushte anonimiteti, 19 vende anëtare të Bordit Drejtues të IAEA-së votuan për të miratuar rezolutën. Rusia, Kina dhe Burkina Faso ishin kundër, ndërsa 11 vende abstenuan dhe dy nuk votuan.
Në projekt-rezolutën, komiteti i bën përsëri thirrje Iranit të japë përgjigje “pa vonesë” brenda kuadrit të hetimit shumëvjeçar mbi gjurmët e uraniumit të gjetura në disa vende që Teherani nuk i ka deklaruar si objekte bërthamore.
Vendet perëndimore dyshojnë se gjurmët e uraniumit tregojnë ekzistencën e një programi sekret iranian të zhvillimit të armëve bërthamore deri në vitin 2003.
Rezoluta u propozua nga Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendimi vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon. Një ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se po tërhiqte një pjesë të personelit thelbësor nga Lindja e Mesme për shkak të situatës së sigurisë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha më parë se Uashingtoni ose Izraeli mund të kryejnë sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore të Iranit nëse negociatat dështojnë.
SHBA-të dhe Irani po negociojnë aktualisht mbi programin bërthamor të Teheranit që po përparon me shpejtësi. Ministri i Punëve të Jashtme i Omanit tha se raundi i gjashtë i negociatave do të mbahet të dielën në vendin e tij.
Projektrezoluta e IAEA-s përmban gjithashtu një referencë të drejtpërdrejtë për negociatat SHBA-Iran, duke theksuar “mbështetjen për një zgjidhje diplomatike të problemeve të shkaktuara nga programi bërthamor i Iranit, duke përfshirë bisedimet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje që do të zgjidhte të gjitha çështjet ndërkombëtare që lidhen me aktivitetet bërthamore të Iranit, dhe inkurajon të gjitha palët të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në dialog”.

