Arrestimi i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me Shërbimin Sekret Serb (BIA), brenda pak më shumë se një viti, është një tjetër dëshmi e përkushtimit të institucioneve të sigurisë së Kosovës në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues — ka deklaruar Kryeministri Albin Kurti.
Sipas Kurtit, operacionet e suksesshme janë udhëhequr nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë.
“Arrestimet përfshijnë tre shqiptarë dhe dy serbë. Këto raste, përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin tonë në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë,” theksoi Kurti.
Sipas Kryeministrit, veprimtaritë e zbuluara kanë përfshirë:
- përpjekje për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe mohimin e masakrës së Reçakut;
- infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe në qarqe ekstremiste fetare, me synim dëmtimin e sigurisë dhe të imazhit të shtetit të Kosovës.
“Në mesin e të dyshuarve, njëri prej tyre (A.V.) tashmë ka pranuar fajësinë pas përballjes me dëshmitë,” bëri të ditur Kurti.
Ai vlerësoi punën e AKI-së dhe të partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar se këto operacione kanë treguar efikasitet të jashtëzakonshëm dhe aftësi të avancuara analitike e operative në fushën e sigurisë kombëtare.
“Ftoj qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të angazhuar në përpjekjet për një Kosovë të qëndrueshme dhe të pathyeshme ndaj çdo forme kërcënimi. Trajtimi i suksesshëm i këtyre rasteve duhet të shërbejë si shembull për rritjen e vetëdijes dhe forcimin e frontit të përbashkët për siguri kombëtare,” përfundoi Kryeministri Kurti.