Buloni i kësaj rrethoje të sigurisë i është vendosur për sy e faqe.
Ai bie lehtësisht, por edhe po të ishte vendosur si duhet, në pjesën tjetër të rrethojave s’është vendosur asnjë, duke e bërë rrethojën e këtij ballkoni jostabile.
Në gjendje të njëjtë të rrezikshme vazhdojnë të jenë të gjitha ballkonet e bllokut të banesave të rinovuara nga Komuna e Prishtinës në nëntor të vitit 2024, tek rrethi me flamur.
Këtë e tregojnë pamjet e dërguara në televizionin Dukagjini nga banorët një natë më parë.
Rrethojat që u larguan për të mundësuar rinovimin gjenden poshtë tek hyrja kryesore njëra mbi tjetrën.
Pyetjeve të televizionit iu është përgjigjur kompania e kontraktuar nga komuna për renovimin e banesave.
Nga e njëjta kanë pretenduar se punimet nuk kanë përfunduar akoma, gjë të cilën e mohojnë banorët.
“Ne kemi vendosur letra njoftimi për të na japur qasje tek banesat që të rregullohet gardhi dhe po kemi shumë vështirësi për qasje nga pjesa e brendshme, ndërsa nga jashtë po kemi vështirësi nga makinat që aty pranë objektit parkohen dhe nuk po na mundëson qasje me makineri të afrohemi. Gjithsesi, me ndihmën e Policisë po mundohemi të krijojmë kushte të përshtatshme pune duke i larguar automjetet por prapë e vështirë. Ju lutem, ata që ju kanë njoftuar për këtë, le të na kontaktojnë neve direkt në numrin 048 552 444 dhe të na japin qasje për montimin e gardhit”.- LEC SH.P.K – ndërmarrja e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës.
Porosinë e kompanisë, televizioni e ka përcjellë tek ankuesit por të njëjtit, kanë njoftuar televizionin se situata, tash e disa javë mbetet po e njëjta.
E tanimë, marrë parasysh kohën që banorët u kanë ofruar, po konsiderojnë që të ankohen në organet kompetente.
“Me kompaninë s’po mundemi të kontaktojmë. Nuk e kanë hapur telefonin, s’po dimë ç’ka po bëhet e gjendja po mbetet e njëjtë. S’ka vetura në rrugë, janë të banorëve. Kur të vinë te objekti, ne po i shohim, i largojmë. Ata e kanë fjalën që për vendosjen e vinçit mund t’i dënoj policia por ai s’mbetet problemi ynë. Nëse s’merren masa urgjent për shkak se edhe gilinderat s’janë në standart, s’janë 1 metër e 20 centimetra, janë për 20 më pak sesa që i kemi pas na. Na ka mbet me hap rast se s’ka siguri, 0 siguri na ka mbet”. – Banor i bllokut të apartamentit tek rrethi me flamur
Premtim për një procedurë të re tenderimi ka bërë Drejtori për Shërbime Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, megjithatë për detaje më të hollësishme se ku ka mbetur çështja, ai ka qenë i paqasshëm për Dukagjinin.