Emrush Kastrati, avokat në një linjë direkte në FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me operacionin e policisë ku u arrestuan ditë më parë 22 persona.
Ai ka thënë se personat e arrestuar, përmes mbrojtësve të tyre, e kanë të drejtën për ankimim pas caktimit të paraburgimit nga ana e gjykatës.
“Në këto raste, kur caktohet paraburgimi nga ana e gjykatës, palët kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë ndaj vendimit për caktim të paraburgimit dhe, natyrisht, që Gjykata e Apelit do të vendosë lidhur me ankesat e palëve në procedurë,” ka thënë ai.
Ai ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar në këtë çështje penale ku është përdorur aplikacioni SKY ECC.
“Ekziston dyshimi i bazuar në këtë çështje penale, për të cilën edhe Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit në gjykatë, ku gjykata caktoi paraburgimin ndaj 22 të dyshuarve për veprat penale që ndërlidhen me shitblerjen e narkotikëve, krimin dhe shpëlarjen e parave,” ka thënë ai.
Avokati Kastrati ka thënë se një vepër e tillë penale, varësisht nga provat, meqë kemi të bëjmë me një vepër e cila shtrihet deri në Ekuador, dënimet janë të ashpra ku mund të sillen në mbi 10 vite.