Tregu i luleve sot është mbushur me qytetarë të shumtë që kërkojnë të blejnë dhuratën e përkryer për të shprehur dashurinë e tyre. Trëndafilat e kuq mbeten zgjedhja më e preferuar, ndërsa qytetarët zgjedhin edhe buqeta me lule shumëngjyrëshe për të surprizuar të dashurit e tyre. Në njërin prej dyqaneve të luleve takuam një shitëse teksa po përgatiste një buqetë të porositur me 101 trëndafila. Ajo na tha se për ditën e Shën Valentinit kërkesa për lule është shumë e madhe.
“Është e porositur nga një klient dhe do të vjen ta merr. Sa trëndafila ka? 101. Këtë ditë kërkohen vetëm trëndafila, trëndafila të kuq, dita e të dashuruarve… Në këtë ditë kërkesa është më e madhe, është vetëm një ditë në vit dita e të dashuruarve… Arusha vendosim në mënyrë simbolike I vendosim nëpër buqeta”, tha një qytetar.
Qytetarët thonë se në këtë ditë, përveç dashurisë, festojnë edhe festën e Verës, e njohur ndryshe edhe si Shën Trifuni.
“Shpesh paraqitet ajo, nëse festojmë Shën Trifunin Apo Valentinin, për mua e festojmë dashurinë, e festojmë verën, ditë ku kemi arsye që gjinisë më të butë t’i kushtojmë pak vëmendje dhe të kalojmë mirë”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Personalisht për mua nuk nënkupton asgjë, por për gruan time nënkupton diçka, dhe për të për kujdesin ndaj saj bëra një nderë të vogël dhe bleva diçka…A mund të na tregoni çfarë keni blerë? Kuti për bizhuteri.. dhe tani lule, duhet patjetër lule”, tha një qytetar.
“Edhe përskaj asaj që është e papranueshme në religjionin tonë, e dimë se është festë katolike, megjithatë ka rëndësi për të dashuruarit, për ata që mes vete dhurojnë dashuri… Ishte si ishte dhe kaloi, tani përshtatemi me teknikat e reja, kohërat e reja, vërtetë nuk bëj dallim. Për mua dashuria është dashuri”, u shpreh një qytetare.
“Më shumë e dua Shën Trifunin, se sa Valentinin. Por meqë është shënuar se kjo ditë është shënuar për dashuri, le të jetë për dashuri. Personalisht nuk kam preference nëse dashuri duhet të ketë sot ose nesër…Dashuria është gjithmonë e njëjtë, si e tregojmë mund të ketë dallime, megjithatë kjo është personale për secilin…”, theksoi një tjetër qytetare.
Shën Valentini është dita e të dashuruarve, e cila festohet më 14 shkurt në mbarë botën. Kjo ditë simbolizon dashurinë, njerëzit zakonisht shkëmbejnë dhurata, lule dhe mesazhe romantike për të shprehur ndjenjat e tyre. /Alsat.mk